Katër klasë që ndodhen në podrumin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë janë vërshuar nga uji të dielën, më 27.04.2025.
Sipas drejtoreshës Krasniqi, vërshimi i ujit në podrumin e Shkollës “Ismail Qemali” ka ndodhur pas orës 18:00 dhe punëtorë të Ujësjellësit dhe të Drejtorisë së Emergjencave në Kryeqytet e kanë pastruar deri në ora 23:30 këtë hapësirë.
“Ujësjellësi edhe Drejtoria e Emergjencave e ka mënjanu hyrjen e ujit, i kanë çelë pusetat në oborr të Shkollës, edhe jashtë oborrit të shkollës. Tash ka mbet vetëm punëtorët e mi teknikë. Janë tu pastru edhe disa punëtorë të Shkollave tjera. M’i ka pru Drejtori (i Arsimit) këtu, m’i ndihmu punëtorëve të mi.” – tha Krasniqi, më 28.04.2025.
Krasniqi ka treguar se në këto katër klasë në ndërrimin e paradites dhe pasdites mësojnë nxënës të klasës së pestë dhe për ta tashmë kanë bërë zgjidhje për mbajtjen e mësimit.
“Në podrum janë katër klasë. Ato katër klasë iu kemi ba zgjidhje nxënësve. Një klasë është duke mbajt mësim në sallë të Edukatës Fizike, një në sallë të arsimtarëve, një në kabinet të Fizikës, d.m.th. veç një klasë është online për momentin.” – ka thënë Krasniqi.
Kurse, për nxënësit që mësojnë në ndërrimin e pasdites Krasniqi tha se një klasë, një sallë dhe kabinet e ka të lirë në këtë kohë, si dhe nxënësit e klasës që mbet pritet të mësojnë në një klasë ku mësojnë nxënës të klasës së dytë, por janë në numër më të vogël.
Krasniqi shtoi se gjatë ditës pas pastrimit nga punëtorët teknikë të Shkollës, pritet të bëhet dezinfektimi i kësaj hapësire nga Komuna, në bazë të Kërkesës që ia ka adresuar Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.
Sipas Krasniqit edhe në të kaluarën ka pasur vërshime të ujit në korridor të Shkollës “Ismail Qemali”.
“Ka ndodhë, po ma shumë ka hi veç në korridor, se problemi këtu i lagjes është se po është kanalizimi edhe ujësjellësi i lidht me banesë. Tash një shpërthim i gypit në lidhje, ai po rrjedh vetvetiu. Sa i jemi dasht me thirrë ujësjellësin. Ujësjellësi thojke: ‘Nuk është punë e jonja, jo është punë e tjetërkuj’; dikur i thashë unë: ‘Nuk po rrjedh në oborr të Shkollës, po po rrjedh jashtë oborrit të Shkollës. Tani e kanë rregullu atë problem para dyerve të Shkollës. Tash problemi është me pusetat.” – ka shpjeguar Krasniqi.
Ndërsa, Samir Shahini, Drejtori i Arsimit në Prishtinë, ka njoftuar se falë reagimit të menjëhershëm të stafit të Shkollës, Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Kryeqytet, situata u menaxhua me shpejtësi për të ndalur rritjen e nivelit të ujit.
“Klasat janë duke u pastruar sot nga mirëmbajtësit e Shkollës dhe të tjerë nga Shkollat e tjera që iu shkuan në ndihmë. Brenda ditës uji do të largohet në tërësi, do të kryhet dezinfektimi dhe katër klasat e prekura do të kthehen në funksion të plotë sa më shpejtë të jetë e mundur. Sa i përket procesit mësimor, Drejtoria e Shkollës është duke kryer ri-organizimet e brendshme në mënyrë që të ketë humbje sa më minimale për nxënësit.” – ka shkruar Shahini në Facebook, më 28.04.2025.