Ulet standardi për avancime në Universitetin e Prishtinës

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
18 Min Read

Në mbledhjen e 14-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës është aprovuar Rregullorja, e cila pranon që edhe shkrimet që nuk vlejnë sa një publikim shkencor, i botuar në revista akademike kredibile (listën Scopus) të pranohen për emërim, avancim të profesorëve.

Pasi ka mbajtur më shumë se pesë orë mbledhje, Senati i UP-së, më 30.04.2025, ka miratuar njëzëri me 28 vota Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP.

Kjo do të jetë Rregullore e re për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP, pasi UP ka punuar me një Rregullore të datës 27.04.2022, e cila ka gjithsej 31 faqe dhe tashmë është e shfuqizuar.

Rregullorja e shfuqizuar, në krahasim me Rregulloren e re, është e mangët në disa definime të termave që rrjedhin prej kritereve të kërkuara për avancim, ka më pak elaborim të Formularëve dhe Shtojcave që vlerësojnë dhe poentojnë veprimtarinë, përvojën e kandidatëve, të cilët aplikojnë në një Konkurs për personel akademik në UP.

Në Rregulloren e vjetër as nuk përmenden shkrimet që tashmë Rregullorja e re i pranon për avancim. Por, në të ishin kërkuar nga kandidati që t’i ketë të publikuara punimet shkencore e të botuara Monografitë dhe tekstet mësimore.

(Mos)pranimi i Raporteve të rastit dhe komunikimeve të shkurtra në proceset e avancimit

Publikimet shkencore në revista kredibile janë një ndër kriteret që duhet të plotësohen për të marrë titullin profesor asistent, e për t’u avancuar në profesor i asocuar dhe profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

Përveç publikimeve shkencore ka publikime të tjera, si editoriale, Raporte, recensione të librave, si dhe komunikime të shkurtra (short communication) dhe Raporte të rastit (case reports), që deri tash nuk janë llogaritur si shkrime të cilat mund të pranohen për avancime.

Vetë rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, në mbledhjen e Senatit të UP-së, propozoi që për vetëm një artikull shkencor të mund të zëvendësohet me tre komunikime të shkurtra, në procesin e emërimit, avancimit të personelit akademik.

Sipas Statutit të UP-së, për titullin profesor asistent kandidati duhet t’i ketë dy punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore, në së paku njërin si autor i parë; për titullin profesor i asociuar kandidati duhet t’i ketë tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore, një prej të cilave si autor i parë, si dhe për titullin profesor i rregullt, kandidati duhet t’i ketë katër punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore, dy prej tyre si autor i parë.

Dhe, propozimi i rektorit Hajrullahu vlen vetëm për njërin prej këtyre punimeve që mund të zëvendësohet me tri komunikime të shkurtra, jo për dy e më shumë punime.

“Unë po propozoj 3, a dinë me cilën logjikë, se kur e matë volumin e fjalëve këto short communication (komunikime të shkurtra) është njëfarë mesatareje, tri publikime të këtij lloji e ngërthejnë një artikull pak a shumë. Një artikull (shkencor) i ka prej 7,000 deri në 12,000 fjalë. E tri të këtilla, plus minus kah 2,000 fjalë, e mbërrijnë të paktën minimumin.” – tha Hajrullahu.

Albana Berisha-Qehaja, Prorektore për Financa dhe Buxhet në UP, tha se: “Nuk mendoj që një case report (Raport i rastit) është ekuivalent me punim shkencor. Në asnjë mënyrë! Edhe tri (Raporte të rastit), edhe janë pikëpyetje (a janë). Për arsye sepse në Raporte rasti, në shumicën e rasteve nuk ka metodologji të shkruar, jam ka flas “Raporte rasti” që i kam pa në “Springer”, ku nuk ka hipoteza të ngritura dhe nuk ka rezultate empirike d.m.th rezultate konkrete.” – ka theksuar Berisha-Qehaja.

Në faqen 47 të draftit të datës 25.03.2025 të Rregullores ka qenë i definuar Publikimi (artikulli) shkencor dhe kanë përcaktuar se shkrimet, si: editorialet, Raportet, recensionet e librave dhe punimeve, komentet e publikuara në revista shkencore, abstraktet e Konferencave, si dhe komunikimet e shkurtëra nuk mund të përdoren në përmbushjen e kritereve minimale të përcaktuara me Statut, për procesin e emërimit, avancimit dhe rizgjedhjes së personelit akademik.

Pasi kanë kaluar disa ditë, personelit akademik të UP-së i është dërguar drafti final i Rregullores, ku në faqen 56-të të saj thuhet se në proceset e avancimit njihen të paktën një prej Raporteve të rastit dhe komunikimeve të shkurtëra, të publikuara nga kandidatët. 

Ky ndryshim nga disa prorektorë po konsiderohet si ulje e standardit të deritanishëm të cilën shumë profesorë nuk kanë mundur ta kalojnë, për shkak se publikimi në revistë shkencore me kredibilitet është proces shumë më rigoroz se publikimet e tjera.

“Shkrimet, si recensionet e librave dhe punimeve, komentet e publikuara në revista shkencore, abstraktet dhe materiale të Konferencave, përjashtohen nga ky përkufizim dhe nuk mund të përdoren në përmbushjen e kritereve minimale të përcaktuara me Statut, për procesin e emërimit, avancimit dhe rizgjedhjes së personelit akademik. Raportet apo Raportet e rastit dhe komunikimet e shkurtëra (short communication), që kanë metodologji, rezultate origjinale autoriale dhe strukturë të qartë, të cilat publikohen pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, njihen në proceset e avancimit, por në total jo më shumë se një prej tyre.” – thuhet në draftin final të Rregullores.

Senatorja Kreshnike Dedushi-Hoti nga Fakulteti i Mjekësisë në UP në mbledhjen e Senatit të UP-së tha se rastet që mund të publikohen si Raporte rasti janë vetëm rastet unike që mund të jenë 3-4 në krejt botën dhe shkrimi i tij mund të zgjasë deri në dy muaj.

Kurse, Sefedin Muçaj, Dekan në Fakultetin e Mjekësisë, ka pasur një përplasje me fjalë me prorektoren Berisha-Qehaja duke thënë se nuk pajtohet me të, “nuk është mjeke, është ekonomiste, sikur unë m’u përzi në punët e ekonomistëve”.     

“Ja ka huq shumë, ja ka huq shumë. Case study (studim i rastit) nuk mundesh me thanë nuk është artikull shkencor, se s’është e vërtetë. ‘Case study’ është artikull shkencor në qoftë se bëhet metodologjia, mënyra e përshkrimit e krejt. ‘Case study’ nuk bëhet për një javë, dy javë po bëhet sa është pacienti. Edhe case study nuk matet me sasi, po me cilësi.” – tha Muçaj në mbledhjen e Senatit, më 30.04.2025.

Kjo çështje mund të hapë debatin se si do të vlerësohet cilësia e secilit prej këtyre “Raporteve rasti”, pasi që për këto Raporte nuk ka kritere të caktuara dhe publike nga UP, se çka konsiderohet ‘studim rasti’, që meriton të llogaritet për avancim. 

Gjatë mbledhjes së Senatit prorektorja Berisha-Qehaja e ka quajtur “absurde” mënyrën e reagimit të Dedushi-Hotit dhe Muçajt.

“Kjo është degradim në Rregullore që me proceedings (materiale Konferencash), me case report-a (Raporte rasti), edhe me short communication (komunikime të shkurta), merreni me mend m’u ba profesor i rregullt me këto kategori publikimesh, për besë kjo është degradim.” – ka shtuar Berisha-Qehaja në mbledhjen e Senatit.

Sipas një profesori universitar, ‘proceedings’ është një libër përmbledhës i komunikimeve që bëjnë autorët në Konferenca shkencore.

Muçaj i ka reaguar Prorektores duke i thënë “Po, qysh je ba ti profesor? Me protesta të studentëve që i ke përkrah. Të lutem, ki kujdes!”.

Berisha-Qehaja i është kundërpërgjigjur duke i përmendur se ajo i ka pasur shtatë publikime origjinale në Scopus, të cilat nuk kanë qenë as Raporte të rastit, as komunikime të shkurtëra.

Avni Hajdari, Prorektor për Kërkime shkencore në UP, në mbledhjen e Senatit, tha se disa punime kanë peshë më të madhe, disa kanë peshë më të vogël. Sipas Hajdarit, komunikimet e shkurtëra e kanë vlerën e vet, por nuk e kanë si të artikullit shkencor.

“Meqenëse është e shkrune në Statut, shumica e punimeve duhet të jenë hulumtim, pra punë origjinale, njëri prej tyre e kemi bisedu edhe më herët mund të jetë ‘short communication’ (komunikim i shkurtër), case report (Raport rasti), ose review (recesion), po që të jetë p.sh. me dyfishin ose trefishin (e Raporteve të rastit, komunikimeve të shkurtëra), varësisht si vendosim këtu të artikullit shkencor.” – tha Hajdari, më 30.04.2025.

Si përfundim, shumica e Senatit të UP-së, përfshirë rektorin Hajrullahu votoi që të shkruhet në Rregullore si në vazhdim, por atë e abstenuan prorektori Naim Jerliu dhe prorektorja Berisha-Qehaja:

“Raportet, apo Raportet e rastit dhe komunikimet e shkurtëra (short communication), që kanë metodologji, rezultate origjinale autoriale dhe strukturë të qartë, të cilat publikohen pas hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje njihen në proceset e avancimit, duke barasvlerësuar 3 komunikime të shkurtëra me një publikim origjinal dhe dy Raporte rasti, dy punime përmbledhëse me një publikim origjinal, por në total mund të shfrytëzohen për një punim.” – theksohet në Rregulloren e re për avancime.

Rron Gjinovci, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), tha se ky ndryshim në Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik është ulje e standardeve të UP-së.

“UP pas shumë viteve avancim të cilësisë përmes rritjes së kritereve, në mbledhjen e fundit të Senatit i ka mëshu cilësisë shkelm dhe ka shku nja 3 vjet mbrapa. Drafti fillestar i Rregullores për avancime akademike u degjeneru në një dokument skandaloz. UP tash nuk është në vend, ka nisë me shku mbrapa. Kjo është ulje e standardeve për të cilën ORCA do të dalë së shpejti me një analizë më të detajume.” – ka thënë Gjinovci, më 02.05.2025.

Komisioni që ka hartuar këtë Rregullore, ka hartuar edhe dy Rregullore të tjera të UP-së: Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në Fakultetin e Arteve, si dhe Rregulloren për transferim, programin “Brain Gain” (Kthimi i trurit) dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik në UP.

Komisioni që ka hartuar tri Rregulloret e përmendura përbëhet nga: prorektori Naim Jerliu (Kryesues) dhe Avni Puka, Hazir Haziri, Kreshnik Hoti, Zamira Hyseni, Adem Beha, Zana Limani dhe Lura Rexhepi (anëtarë).

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, gjatë mbledhjes së Senatit u shpreh se këto tri Rregullore janë progresive dhe sipas tij ka pasur një pajtueshmëri të përgjithshme pas një procesi gjithpërfshirës për hartimin e tyre.

“Me gjithë kritikat që i kam (për tri Rregulloret e hartuara), me shumë pikat që sikur të kisha mundësinë me vendos vetë, do i vendosja më ndryshe, nuk ka ndonjë pikë (në tri Rregulloret) me të cilën do të thoja që është e pamundur, edhe nuk mund të jetoj me atë pikë. Sikur të ishte kështu, vërtetë do tentoja mos me çit në Rend ditës hiç, me qenë i sinqertë. Shumë mirë që kemi ardh deri në këtë pikë, pa pretendu që këto tri Rregullore janë të përkryera, janë, e hapin një rrugë për avancim edhe të mendësisë, meritokracisë, edhe e hapin rrugën që ky Universitet me ecë një ose dy hapa përpara të paktën.” – ka deklaruar rektori Hajrullahu.

Rregullorja për programin “Brain Gain” (Kthimi i Trurit) ka për qëllim përcaktimin e kritereve për transferimin, rekrutimin e personelit akademik që bëjnë pjesë në 400 Universitetet më të mira në botë. Edhe kjo Rregullore u miratua në këtë mbledhje të Senatit.

Dekanët të propozojnë hapjen e Konkursit për personel akademik

UP është kritikuar që nuk po ia mundëson stafit të ri të punësohet në Fakultete të ndryshme, sidomos jo atyre të cilët nuk kanë lidhje me Njësinë akademike, që do të përfitonte prej këtij kuadri të ri. 

Sipas Rregullores së vjetër të datës 27.04.2022, Konkursi për emërim, riemërim dhe avancim shpallej me Vendim të Senatit, pas aprovimit të propozimeve të Njësive akademike. Pra, Fakultetet kërkonin shpalljen e Konkursit për personel akademik.

Mirëpo, me Rregullore të re UP ka propozuar që edhe pa aprovimin e Njësisë akademike Dekani ka të drejtë të propozojë Konkurs për pozita të reja.

Pika 2 e Nenit 14 në draftin final të Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP thotë se “Konkursi për emërim shpallet me Vendim të Senatit pas aprovimit të: propozimit të Këshillit të Njësisë akademike ose propozimit të Dekanit të Njësisë akademike…”. 

Para se të votohej Rregullorja, Blerim Saqipi, Dekan në Fakultetin e Edukimit në UP, në mbledhjen e Senatit të UP-së nuk u pajtua me këtë ndryshim nga e kaluara. 

“Nuk është e shëndoshë për Universitetin që Dekani me hap Konkurs pa e miratu Këshilli i Fakultetit. Kush do të na i miratojë ato Komisione recenzuese, kush do të na i miratojë Raportet recenzuese? Është Këshilli i Fakultetit. Kjo mund të jetë vetëm për rrethana të jashtëzakonshme.” – tha Saqipi.

Komisionet recensuese janë komisionet që e bëjnë vlerësimin e kualifikimit akademik të një profesori të ri, i cili  propozohet për punësim dhe avancim.

Naim Jerliu, Prorektor për mësimdhënie në UP dhe anëtar i Komisionit që ka hartuar këtë Rregullore, ia ka përmendur Saqipit përgjegjësitë dhe kompetencat që mban Dekani për menaxhimin e Njësisë akademike.

“Në asnjë mënyrë nuk nënkupton që ai do ta anashkalojë Njësinë akademike, Këshillin e Njësisë akademike. Por, mund të jetë që (Konkursin) nuk e inicon Dekani, edhe ajo vjen prej Njësisë akademike. Dekanit i është njoftë e drejta që me pru propozimin përmes Zyrës së Rektorit, me pru në Senat, edhe na me diskutu këtu, nëse ai ka naj arsyetim me procedu më tutje.” – ka reaguar Jerliu.

Pasi është shterur debati për pikën që ngriti Saqipi, Senati i UP-së u pajtua që në rastet e jashtëzakonshme kur pozitat e reja nuk miratohen nga Këshilli i Njësisë akademike, Dekanit të Njësisë akademike t’i mundësohet që ta propozojë hapjen e Konkursit dhe ta arsyetojë atë më pas në Senat.

Para se kjo Rregullore të votohej, Jerliu tha se për herë të parë me Statutin e UP-së është dhënë mundësia që një kategori e personelit akademik të zgjedhet me Konkurs publik, kurse për një kategori avancimi dhe rizgjedhja e tyre të realizohet me procedura të brendshme.

Sipas Jerliut, kjo Rregullore për secilën Njësi akademike të UP-së krijon mundësi për avancim të mëtutjeshëm.

“Të sigurohemi që stafi i Universitetit të Prishtinës dhe ai staf që rekrutohet në UP të jetë staf i cili kontributin e tyre shkencor dhe punën e tyre shkencore e prezenton në revista kredibile. Kjo ndoshta ka qenë ajo sfida kryesore, të cilën kemi bërë përpjekje me adresu edhe me ofru disa zgjidhje, që mendoj se e çelin një perspektivë, edhe do të jenë një ndihmesë për stafin në të ardhmen.” – theksoi Jerliu.

Share This Article
Leave a Comment