Boshti serbo-rus në luftën hibride: Pse janë kanalet në “Telegram” të rrezikshme për sigurinë kombëtare?

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
12 Min Read

Iryna Synelnyk

Lufta hibride që Rusia dhe Serbia zhvillojnë kundër vendeve evropiane, përfshin metoda të ndryshme, por strategjia kryesore mbetet përçarja e shoqërive, minimi i besimit në institucionet shtetërore dhe delegjitimimi i demokracisë. Rusia është fleksibile në zgjedhjen e qasjeve dhe taktikave të reja, pasi teknologjitë e reja bëhen mjete për manipulimin dhe ndikimin e opinionit publik në vende të ndryshme. Një prej tyre është rrjeti social i njohur si Telegram. Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë në shumë çështje, përfshirë imitimin e strategjisë së saj të luftës hibride, veçanërisht kundër Kosovës.

Prandaj, është e rëndësishme të analizohen kanalet kryesore pro-ruse dhe pro-serbe në Telegram në Ballkan, për të kuptuar pse dhe si shpërndahen narrativat propagandistike dhe pse përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Pse është e rëndësishme?

Që nga pushtimi në shkallë të gjerë rus i Ukrainës, Telegram-i është bërë një burim i rëndësishëm informacioni përmes kanaleve zyrtare, por njëkohësisht është shndërruar në një rrjet social për shpërndarjen e propagandës së Kremlinit përmes kanaleve anonime. Dihet se kjo platformë ka origjinë ruse dhe ekziston një probabilitet i lartë që të jetë e lidhur me shërbimet sekrete ruse dhe autoritetet shtetërore të Rusisë. Për më tepër, numri i kanaleve dhe frekuenca e publikimeve duket se janë rritur që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë.

Telegram-i nuk është një aplikacion i sigurt për komunikim. Enkriptimi i tipit end-to-end i mesazheve nuk është aktiv si parazgjedhje, ndryshe nga aplikacionet si SignalThreema apo WhatsApp. Ky funksion është i ndarë dhe i disponueshëm vetëm përmes bisedave të fshehta [secret chats]. Deri në 99 për qind e komunikimit në Telegram ndodh jashtë këtyre bisedave të fshehta. Për pasojë, të dhënat tuaja mund të vërehen në faza të ndryshme të transmetimit, përfshirë edhe në nivelin e serverit.

Rreziqet serioze nga përdorimi i Telegram-it përfshijnë:

– Mbikëqyrjen dhe qasjen në të dhënat personale;

– Përdorimin e platformës për sulme kibernetike;

– Probleme serioze me anonimitetin.

Ekziston gjithashtu problemi i përmbajtjes. Telegram-i ka fituar reputacion si një platformë ku shpërndahet material i rrezikshëm apo i paligjshëm. Mungesa e kontrollit mbi përmbajtjen u jep mundësi grupeve kriminale dhe ekstremiste të përdorin këtë kanal për qëllimet e tyre.

Përparësia që ofron Telegram-i për veprime të dyshimta qëndron në faktin se nuk ka censurë. Informacione plotësisht të pasakta apo të paligjshme mund të publikohen pa u hequr. Kjo është një nga arsyet pse përdoret Telegram-i dhe jo rrjetet e tjera sociale.

Telegram-i, si rrjet social, nuk është shumë i përhapur në Kosovë, por në të njëjtën kohë më shumë se gjysmë milioni njerëz ndjekin kanale pro-ruse në Telegram që mbulojnë Ballkanin në gjuhën serbe dhe ruse. Ndjekësit nxiten të dhurojnë pajisje ushtarake për Rusinë dhe t’i bashkohen njësive ushtarake të përbëra kryesisht nga qytetarë të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në vijën e frontit në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Telegram-i është një burim i madh për përhapjen e narrativave propagandistike pro-ruse, lajmeve të rreme dhe dezinformimit. Disa prej këtyre kanaleve që janë të njohura në Ballkan, janë themeluar në Rusi dhe publikojnë në gjuhën ruse ose përdorin mediat shtetërore ruse si burime kryesore informacioni, por janë të orientuara drejt një audience në Ballkanin Perëndimor. Ekzistojnë dhjetëra kanale në Telegram. Së fundmi, kjo platformë ka fituar gjithnjë e më shumë popullaritet mes ekstremistëve të djathtë, përhapësve të dezinformimit dhe teoricienëve të konspiracionit. Ne do të përpiqemi të analizojmë pesë nga kanalet më të mëdha në Telegram.

Kanali në Telegram i Dejan Beriqit

Dejan Beriqi [Berić] është një nga “vullnetarët” serbë më të njohur në ushtrinë ruse. Kanali i tij është kanali më i ndjekur pro-rus në Telegram në territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ka mbi 114 mijë; ndjekës, publikon rreth 100 postime në ditë dhe përmbajtja e tij shikohet nga rreth 25 mijë ndjekës brenda 24 orëve. Kanali i kushton pjesën më të madhe të citimeve të tij kanaleve të tjera pro-ruse, si “Bunt je stanje duha” dhe “Ocilo”, si dhe mediave të tjera ruse, përfshirë Sputnik.

Kanali në Telegram, “Slovenski Medvedi” [përkthyer në shqip: Arinjtë sllavë]

Ka tërhequr pothuajse 60 mijë ndjekës. Ka publikuar mijëra video dhe dhjetëra mijëra fotografi të ngjarjeve që Rusia dëshiron që qytetarët serbë t’i dinë. Ky kanal, i krijuar në janar të vitit 2023, një vit pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, synon të jetë “zëri i Rusisë në Serbi dhe zëri i popullit serb”. Është një nga kanalet pro-ruse me rritjen më të shpejtë në Telegram. Në vitin 2024, publikoi postime përmes të cilave mblidhte para për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kanali “Bunt je stanje duha” [përkthyer në shqip: Rebelimi është gjendje e frymës/shpirtit”]

Që nga viti 2020, ky kanal ka shërbyer për përhapjen e propagandës pro-serbe dhe pro-ruse. Fillimisht u krijua me emrin “Bunt Montenegro”, por një vit më vonë mori emrin që mban sot.

Numri i anëtarëve të rinj u rrit ndjeshëm pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, kur u shtuan rreth 30 mijë ndjekës brenda vetëm pak javësh. Aktualisht ndiqet nga mbi 85 mijë persona. Anëtarët e kanalit “Bunt” ndajnë çdo ditë përmbajtje të lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Një pjesë e madhe e materialeve të publikuara i referohen Republikës Sërpska dhe zyrtarëve ushtarakë gjatë luftës në Bosnje, përfshirë Ratko Mladiqin [Mladić], ish-komandantin e Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

“Балканист” [“Balkanist”], afërsisht 20 mijë ndjekës dhe “Балканская Сплетница” [“Balkan Gossiper” / përkthyer në shqip: Thashethemet ballkanase], afërsisht 32mijë ndjekës

Këto janë dy kanale në Telegram në gjuhën ruse. Ato përhapin narrativa pro-ruse dhe pro-serbe. Propagandistët gjithashtu përpiqen të ngjallin frikë te lexuesit e tyre, duke sugjeruar se Serbia po përballet me një luftë të nxitur nga Perëndimi.
Kanali “Balkanist” është krijuar në vitin 2019. Që nga shkurti i vitit 2021 dhe fillimi i agresionit ndaj Ukrainës, “Balkanist” e ka zgjeruar aktivitetin edhe në Yandex, versioni rus i motorit të kërkimit Google, si dhe në YouTube, duke krijuar gjithashtu një portal zyrtar në internet dhe një podcast.

Një nga partnerët reklamues të këtij kanali, ndjekësit e të cilit janë trefishuar brenda një viti, është Platon Besedin, një autor ukraino-rus, i njohur publikisht si propagandist pro-rus. Në shumicën e rasteve, kanali “Balkanist” shpërndan përmbajtjet e tij. Kanali publikon shpesh përmbajtje pro-ruse, duke theksuar “vëllazërinë” që thuhet se ekziston mes rusëve dhe serbëve.

Temat kryesore që shpërndahen në kanalet pro-ruse dhe pro-serbe në Telegram në Ballkan
Nxitja dhe përshkallëzimi i kundërshtive në rajon; promovimi i idesë së “botës serbe” nxiten në këto kanale. Propagandistët shpesh riinterprettojnë ngjarjet historike për të nxitur përçarje dhe për të thelluar ndasitë. Në përgjithësi, ata shfrytëzojnë kontekstin historik, etnik dhe fetar të rajonit. Për shembull, shqiptarët fajësohen për çdo lloj krimi dhe vesesh njerëzore, duke u demonizuar dhe çnjerëzuar hapur. Propagandistët prekin me mjeshtëri ndjeshmëritë historike, duke i rihapur plagët e konflikteve që, në terma historikë, kanë përfunduar relativisht së fundmi. Në këto kanale në Telegram, Kosova është një nga temat më të diskutuara. Autorët e kanaleve nuk e fshehin faktin që përhapin përmbajtje dhe mesazhe pro-ruse, të cilat gjithashtu nxisin tensione rreth çështjes së “Kosovës serbe” dhe e lidhin në mënyrë të qëllimshme me Ukrainën.

Glorifikimi i ushtrisë ruse dhe i luftës në Ukrainë, justifikimi i krimeve të luftës

Mesazhet që përhapin propagandën ruse për Ukrainën dhe agresionin rus janë ndonjëherë edhe më të pranishme sesa ato që trajtojnë problemet e Ballkanit Perëndimor. Shpërndahet gjithashtu narrativa se Ukraina gjoja është në prag të kolapsit. Vërehet një nivel dukshëm më i lartë i përshtatjes së përmbajtjes nga kanalet “Z” [kanalet ruse pro-luftës] për audiencën lokale. Shumica e kësaj përmbajtjeje lidhet me ngjarjet në vijën e frontit, ku zakonisht theksohen vetëm “sukseset” e rusëve dhe “dështimet” apo humbjet e ukrainasve. Një nga fushat kryesore të veprimit është përfshirja e burrave në luftën në Ukrainë në anën ruse. Në Serbi, kundërshtarët politikë të Rusisë demonizohen vazhdimisht.

Diskreditimi i NATO-s dhe BE-së, i rolit të tyre në luftën ruso-ukrainase, si dhe kritika e ideve të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit dhe të Ukrainës
Kur bëhet fjalë për diskreditimin e Bashkimit Evropian, propaganda ruse përdor shpesh retorikë anti-perëndimore duke theksuar dallimet midis Rusisë dhe BE-së, përfshirë kritikën ndaj vlerave, politikave dhe veprimeve perëndimore, si dhe duke promovuar afërsinë fetare dhe kulturore midis Rusisë dhe Serbisë.

Narrativa të tjera të zakonshme në këto kanale përfshijnë:

– “ShBA/Perëndimi/NATO janë fajtorë për luftën e cila po zhvillohet për të shkatërruar Rusinë”;

– “Rusia është në luftë me NATO-n/SHBA-në/Perëndimin”;

– “Presidenti ynë (Putini) është më i miri, ai e di çfarë po bën / gjithçka po ecën sipas planit”;

– “Ukraina është një shtet artificial, jo i vërtetë”;

– “Kushdo që kritikon trupat ruse është tradhtar”.

Kanale të tilla në Telegram, në shumë raste, nuk janë burime të besueshme informacioni. Kjo është arsyeja pse, për shembull në Ukrainë, është propozuar që pronarët e kanaleve të Telegram-it të mos jenë anonimë.

Në fushën informative të Ballkanit, vërehen ngjashmëri të shumta midis propagandës aktuale ruse dhe asaj të Slobodan Millosheviqit në vitet ’90 të shekullit XX, konkretisht nacionalizmi i theksuar etnik, përhapja e informacionit të rremë dhe manipulimi, si dhe kulti i personalitetit.

Prandaj, edukimi medial dhe mendimi kritik janë mjete kyçe që ju ndihmojnë të vlerësoni situatën në mënyrë realiste dhe të mbroheni nga manipulimi.

Share This Article
Leave a Comment