Edicioni i 25-të i Panairit të Librit “Prishtina 2025 do të mbahet prej 11 deri më 15.06.2025, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) ka bërë të ditur se edicioni sivjetëm i këtij Panairi mbahet me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”.
SHBK ka njoftuar se ceremonia e hapjes do të mbahet më 11 qershor, në orën 12:00.
Në edicionin e sivjetëm të këtij Panairi do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Ndërsa, rreth 2,000 tituj të rinj pritet të ekspozohen nga botuesit pjesëmarrës.
Ky Panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës, 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.
“Parashihen të zhvillohen mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në Panair. Do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga Franca etj.” – thuhet në Njoftimin e SHBK-së.
Gjithashtu, Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30,000 vizitorë: studentë, nxënës të Shkollave Fillore dhe të Mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 15 qershor, në orën 19:00.
Edicioni i 25-të i Panairit të librit “Prishtina 2025” organizohet nga SHBK, me bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.