Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për trafikim të substancave narkotike në dy raste të ndara, sot, më 07.05.2025.
Ky operacion është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë, stacionin policor të Ferizajt dhe Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Ferizaj.
Në rastin e parë janë arrestuar dy persona në Ferizaj, pasi dyshohen për trafikim të substancave narkotike.
“Operacioni është zhvilluar në dalje të autostradës “Arbër Xhaferi”, ku pas një plani të mirëorganizuar dhe veprimeve taktike në terren, janë ndaluar dy persona që po udhëtonin me një veturë nga drejtimi i Prishtinës në Ferizaj. Gjatë kontrollit është konstatuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në disa paketime, mjete të tjera përkatëse dhe para të gatshme në valuta të ndryshme” – njofton Policia.
Lidhur më këtë rast, Policia ka kryer edhe një kontroll me lokacion banimi në Prishtinë, ku janë sekuestruar prova shtesë që lidhen me rastin, përfshirë substancë të dyshuar narkotike në sasi të konsiderueshme, pajisje për matje, material ambalazhues dhe para të gatshme.
“Në total janë sekuestruar rreth 1.659.80 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete, dy telefona mobilë, pajisje për ndarjen e lëndës narkotike, dhe një shumë prej 6.265 euro para të gatshme”, njofton Policia e Kosovës.
Ndërkaq, të gjitha provat janë dokumentuar nga njësitë relevante të forenzikës.
Dhe për të gjitha veprimet është njoftuar Prokuroria e Ferizajt dhe me urdhër të prokurorit kujdestar është lëshuar vendim për ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
Ndërkaq në Gjakovë dhe në Prishtinë janë arrestuar katër të tjerë të dyshuar lidhur me rastin e kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.
Operacion i Policisë për këtë rast kishte nisur, më 23.04.2025 në Prizren dhe gjatë këtij operacioni paraprak ishin sekuestruar rreth 175 bimë kanabis.
“Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Gjakovë, në bashkëpunim me DHTN-Prishtinë, pas një hetimi intensiv ka realizuar sot arrestimin e katër personave të në lidhje me rastin e kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, që kishte nisur më 23.04.2025 në Prizren. Gjatë këtij operacioni paraprak ishin sekuestruar rreth 175 bimë kanabis” – njofton Policia
Ndërkaq, gjatë arrestimit të dyshuarit tjetër në Prishtinë, është kryer edhe një bastisje ku janë sekuestruar 461 gramë kokainë, një veturë “Golf 7”, para të gatshme dhe telefona mobilë.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit.
Ndërsa, një i dyshuar tjetër është në kërkim nga autoritetet.
Dhe hetimet janë duke vazhduar në bashkërendim me organet e drejtësisë, njofton Policia e Kosovës.