Policia e Kosovës ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë në Prizren, në të cilën dyshohet se babai vrau vajzën e tij dhe plagosi vajzën tjetër.
Akti tragjik dyshohet se u krye me një thikë.
“Në vendngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G., viti i lindjes 1981, mashkull, ka therrë me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vendngjarje dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK, në Prishtinë.” – tha zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
I dyshuari është arrestuar nga Policia.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 05:57.
Personi i dyshuar ka lënduar edhe veten dhe gjendet duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Lëndime ka pësuar edhe një 35-vjeçare, e cila sipas Policisë është bashkëshortja e të dyshuarit.
Viktimat dhe i dyshuari janë familjarë dhe shtetas turk, me banim të përkohshëm në Prizren.