Kushëriri im Ziyad ishte shumë i ri për të vdekur. Ai po flinte në shtëpinë e vet në kampin e refugjatëve në Han Junis, kur bombat ranë, të premten pak para mesnate. Pasi dëgjuan shpërthimin, kushërinjtë e mi, Mohammed dhe Moatsem, vrapuan për ta shpëtuar, siç më treguan ata, por ai tashmë kishte ndërruar jetë në shtratin e vet. Ishte 44 vjeç.
Ziyadi ishte punonjës social për UNRWA-n dhe punonte me familje e ndjeshme në kampet e refugjatëve në Gazë. Çdo verë, kur e vizitoja Gazën nga Kanada, ai i blinte djalit tim të vogël karamele nga dyqani i Asa’ad-it – tashmë i zhdukur bashkë me Asa’ad-in (i cili u vra në tetor 2023) – duke ngulur këmbë se karamelet e Gazës ishin më të mirat në botë. Të gjithë në Han Junis e njihnin për qetësinë, shpirtin e butë dhe buzëqeshjen e ngrohtë. Ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar – fjalët “jo” apo “s’mundem” nuk ishin kurrë pjesë e fjalorit të tij. Natën para se të vritej, ai i vizitoi të plagosurit dhe të sëmurët, përfshirë xhaxhain tim, Kamalin.
Këto sulme ndodhin kryesisht natën, kur njerëzit përpiqen të bëjnë pak gjumë mes shpërthimeve të pandërprera dhe thirrjeve për ndihmë. Qëkur Izraeli ndërpreu furnizimin me energji elektrike për Gazën, drita dhe zhurma e bombardimeve shpon errësirën e dendur që bie pas perëndimit të diellit. Dhe, ishte pikërisht në mesnatë kur një raketë goditi shtëpinë e familjes së Ziyadit. Ndërtesa me shumë kate kishte pesë apartamente, të gjitha të mbushura me njerëz – tre prej vëllezërve të Ziyadit me familjet e tyre, si dhe disa familjarë të zhvendosur që kishin kërkuar strehë atje pasi kishin humbur shtëpitë e veta. Kampi i Han Junisit është vendi ku gjyshërit e mi gjetën strehë në vitin 1948, pas Nakba-s, ndërsa familja ime jeton atje që atëherë. Ziyadi është vrarë në vend. Bashkëshortja e tij Samah dhe katër fëmijët – Abboud, Duha, Leen dhe Obada – u plagosën.
Vëllai i tij, Islami, u plagos rëndë dhe mbetet në gjendje të pavetëdijshme në spitalin gjysmëfunksional “Nasser”. Bashkëshortja e Islamit, Du’aa, u vra menjëherë. Njëri nga fëmijët e tyre, Ahmed, u hodh nga kati i dytë në tokë nga fuqia e shpërthimit – mjekët flasin për fraktura në legen dhe këmbë. Motra e Ziyadit, Hala, gjithashtu u plagos, së bashku me fëmijët e saj – Malak, Nour dhe Muhammad. Tre gjymtyrë të Muhammadit janë amputuar. Nuk do ta harroj kurrë videon që pashë në Telegram të Halas, duke ecur në korridoret e spitalit “Nasser” me fytyrën që mbante më shumë dhimbje sesa mund të përballojë një zemër.
Një tjetër vëlla i Ziyadit, Imadi, dhe e gjithë familja e tij – bashkëshortja e tij Nihal dhe shtatë fëmijët e tyre, Muhammad, Muhand, Mu’ayyad, Mu’min dhe trinjaket Dima, Rima dhe Rita – u plagosën gjithashtu. Në total, 15 fëmijë nën moshën 15-vjeçare u plagosën në familjen time nga ky sulm i vetëm. Sipas UNICEF-it, 15,600 fëmijë palestinezë janë vrarë në Gazë që nga 7 tetori 2023; gati 600 fëmijë janë vrarë dhe mbi 1,600 janë plagosur qëkur Izraeli rifilloi sulmet më 18 mars. Tërë linjat familjare janë fshirë, shtëpitë janë kthyer në varre.
Kushërinjtë e mi më tregojnë se mes fëmijëve të vrarë, të premten, ishte edhe Kenani, 20 muajsh, djali i vetëm i fotoreporterit Ahmad Adwan, familja e të cilit kishte kërkuar strehë në shtëpinë e Ziyadit. Kenani kishte lindur pas 18 vitesh përpjekjesh të prindërve të tij me infertilitetin dhe trajtimeve të shumta mjekësore me kosto të lartë. Jeta iu vodh para se të kishte filluar vërtet.
Disa muaj më parë, Ziyadi ishte rrëmbyer nga ushtria izraelite në shtëpinë ku më vonë do të vdiste, dhe u mbajt për disa muaj në burg. Kur më në fund u lirua, nuk e njihte më Han Junisin, vendin ku ishte rritur. Shkatërrimi kishte qenë aq i madh saqë kishte fshirë pothuajse çdo pikë referimi të njohur në qytet dhe në kamp. Rrugët që dikur i njihte ishin bërë gërmadha të paidentifikueshme. Por, ai e njihte forcën dhe këmbënguljen e njerëzve që përballen me çdo rrezik për të sjellë shpresë dhe shërim.
Rrethanat e vdekjes së Ziyadit e dëshmojnë këtë. Kur ndodhi sulmi, Mohammedi, 26 vjeç, ishte ulur me babanë e vet dhe vëllain e vogël, Moatsemin, 17 vjeç. Ata dëgjuan zhurmën e një rakete – vetëm disa sekonda – pastaj një shpërthim shkatërrues që thërrmoi dritaret, dyert dhe jetën. Gurët dhe materialet ndërtimore ranë mbi çatinë e tyre, duke plagosur dorën e Mohammedit. Pa hezitim, Mohammedi dhe Moatsemi vrapuan jashtë, në errësirë. Babai i tyre bërtiti që të qëndronin brenda, nga frika e një sulmi të dyfishtë – një taktikë që synon shpëtimtarët e parë.
Djemtë më treguan se si vrapuan drejt tymit dhe pluhurit të dendur. Të paktën 20 njerëz të tjerë ishin mbledhur tashmë, duke kërkuar dëshpërimisht në errësirë, vetëm me dritën e zbehtë të telefonave të tyre. Kishin disa lopata të vogla për ndihmë, por shumica e të mbijetuarve dhe fqinjëve ishin të detyruar të gërmonin rrënojat me duart e veta. Pllaka të mëdha tavani kishin rënë; kushdo që ishte nën to, nuk kishte asnjë shans. Megjithatë, njerëzit hynin në gërmadha pa u ndalur, duke tërhequr të plagosurit nga rrënojat, duke përqafuar fëmijë e pajetë dhe duke thirrur emra mes kaosit.
Kjo nuk është hera e parë që familja ime është goditur. Më 26 tetor 2023, bombat ranë mbi lagjen tonë në Han Junis, pa paralajmërim, duke vrarë më shumë se 60 persona – 45 prej tyre anëtarë të familjes sime. Atëherë, Ziyadi ishte ndër të parët që vrapoi për të shpëtuar të afërmit. Kësaj here ishte tepër vonë për ta shpëtuar atë. Kam kohë që kam pushuar së numëruari ata që kam humbur.
Historia e familjes sime pasqyron historitë e panumërta të familjeve në të gjithë Gazën, jeta e të cilave është mbuluar nga errësira e këtij gjenocidi. Besoj se rrëfimi i këtyre historive është një sfidë ndaj errësirës. Të kërkosh drejtësi nuk është të lypësh mëshirë – është një detyrim moral. Familja ime nuk ishte dëm kolateral. Ata ishin mësues, mjekë, studentë, inxhinierë, punonjës socialë, nëna dhe fëmijë – secili prej tyre i shuar para kohe.
Ajo që më jep ngushëllim është se, përballë kësaj mizorie të paimagjinueshme, palestinezët ende vrapojnë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Në errësirë të plotë, edhe mes rrënojave që bien dhe pluhurit që të mbyt, drita e dinjitetit palestinez refuzon të shuhet. Këto drita na thërrasin të gjithëve të dëshmojmë për brutalitetin, dhe janë drita shprese se vuajtjet e palestinezëve mund të marrin fund menjëherë.