Zija e bukës në Gazë është neveria të cilën bota nuk duhet ta tolerojë më

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
8 Min Read

Nga kolegjiumi i redaksisë i gazetës në internet, The Independent

Kë dhe çfarë të besosh? Paralajmërimet që vijnë nga OKB-ja, nga çdo agjenci ndihme, dhe nga qeveritë që zakonisht janë mike me Izraelin, se uria po kërcënon Gazën – apo mohimet e qeta të krizës nga Benjamin Netanyahu, i cili deklaron se “nuk sheh asnjë, as edhe një të ligshtuar që nga fillimi i luftës dhe deri tani”, dhe që i përçmon pretendimet e kundërta si “moda aktuale, gënjeshtra aktuale” që “përhapen si zjarr”?

Kushdo që ka dyshime, mjafton të hedhë një sy – dhe këto pamje nuk janë të lehta për t’u parë – tek imazhet që ta copëtojnë shpirtin: fëmijë kockë e lëkurë në Gazë që po vdesin nga uria. Qeveria izraelite ka refuzuar prej kohësh të lejojë mediat e huaja në zonën e luftës në Gazë, dhe vetë kjo një politikë ngjall dyshime, por kjo nuk i ka penguar gazetarët që tashmë janë atje dhe në rajon të zbulojnë të vërtetën e tmerrshme për gjendjen.

Ajo që po ndodh në Gaza është një neveri. Siç e përshkruan një zyrtar i OKB-së, Rripi i Gazës është bërë “një humnerë”. Është skandaloze që Izraeli, si fuqi pushtuese që injoron detyrimet për të trajtuar siç duhet civilët, të sillet në këtë mënyrë; dhe është një turp edhe më i madh që bota vazhdon ta tolerojë.

Përkeqësimi i fundit i një situate që veçse ishte e dëshpëruar, vetëm sa shton besueshmërinë e akuzave të rënda për krime kundër njerëzimit – të ngritura kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare. Provat po shtohen. Në fakt, faktet flasin vetë.

Që nga rënia e armëpushimit të brishtë në mars, populli i Gazës ka qenë nën bombardim të pandërprerë; janë zhvendosur, pastaj zhvendosur sërish në “zona të sigurta” të cilat nuk janë aspak të tilla; kanë parë infrastrukturën e fundit të mbetur, veçanërisht spitalet, teksa shpërthejnë; dhe tani janë privuar nga ushqimi dhe barnat.

Për tre muaj – deri në lëvizjet më të fundit të mjerueshme të disa kamionëve të vegjël – të gjitha dërgesat në Rripin e Gazës ishin pezulluar nga autoritetet izraelite, pa lejuar hyrjen e asnjë ushqimi apo ndihme mjekësore në enklavë. Të mërkurën, katër persona raportohet se u vranë në një pikë shpërndarjeje ndihmash në Rafah, ku mijëra palestinezë të uritur kapërcyen gardhet dhe ushtarët izraelitë qëlluan me të shtëna paralajmëruese.

Agjencitë e OKB-së dhe organizatat bamirëse që janë më të përshtatshme për të shpërndarë ndihmën, janë përjashtuar nga z. Netanyahu, në favor të Fondit Humanitar të Gazës, me një emër ironik, i kontrolluar nga autoritetet izraelite dhe me roje të armatosura amerikane, që ka rezultuar krejtësisht i paaftë për ta përmbushur këtë detyrë. Vetë drejtuesi i fondit, Jake Wood, ka dhënë dorëheqjen pasi është “e qartë se nuk është e mundur të zbatohet ky plan, duke iu përmbajtur rreptësisht parimeve humanitare të njerëzimit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë, të cilat unë nuk do t’i braktis”.

E gjithë kjo vetëm sa shton frikën në rritje për atë që po ndodh në një tjetër territor palestinez të pushtuar apo të kontrolluar nga Izraeli – Bregun Perëndimor. Të inkurajuar nga dorë e lirë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë qeverisë së Netanyahut në Gazë, ministra ekstremistë kanë shtyrë përpara legalizimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite, në tokat që u përkasin ligjërisht palestinezëve.

Të paligjshme, domethënë, edhe sipas legjislacionit izraelit, për të mos folur për të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së – thjesht një tjetër shkelje e qëllimshme dhe e hapur e detyrimeve të Izraelit si fuqi pushtuese mbi territore të marra gjatë luftës së vitit 1967. Anëtarët më nacionalistë të kabinetit të Netanyahut flasin më hapur për ushtrimin e pretendimit për “sovranitet” izraelit mbi gjithë zonën, të bazuar në një histori të kontestuar dhe, në çdo rast, jo në konventat ndërkombëtare mbi të drejtën për vetëvendosje.

Dëbimi me forcë i popullsisë palestineze duket se është një opsion politik për qeverinë aktuale të Izraelit. Ai nuk është zbehur as nga vizioni absurd i presidentit Trump për ta kthyer një Gazë të zbrazur nga popullsia, në një vendpushim bregdetar mesdhetar, edhe pse të administruar nga Shtetet e Bashkuara e jo nga Izraeli. Në të dyja rastet, nuk synohet që ajo të bëhet pjesë e një shteti të pavarur palestinez që jeton në paqe me fqinjët e vet.

Mënyra se si Izraeli ka zhvilluar këtë luftë të pamatur dhe të pamëshirshme, kuptohet nga vetë deklarata e fundit e Netanyahut, se ai synon t’i bëjë operativët e Hamasit “si peshq pa ujë”, “pa mjetin e qeverisjes që ata përdorin, që në thelb është […] ndihma humanitare që ata e grabisin”. E vërtetë apo jo, kjo do të thotë fundi i çfarëdo ndihme humanitare që mund të mbajë gjallë jetën.

Një udhëheqës i Hamasit ishte një nga viktimat e fundit të sulmeve ajrore izraelite, por kjo nuk e justifikon përdorimin e bombardimeve pa dallim, as urinë e qëllimshme të njerëzve të pafajshëm deri në vdekje.

Se gjërat e tilla po ndodhin kjo është, në mënyrë të qartë dhe kryesore, përgjegjësi e administratës që drejton Netanyahu, dhe e çdo zyrtari apo ushtari izraelit që shkel ligjet e luftës. Është thënë gjithmonë, me të drejtë, se Izraeli ka të drejtë të patjetërsueshme për t’u mbrojtur, dhe duhej ta bënte këtë pas mizorive terroriste të kryera nga Hamasi më 7 tetor. Por, kjo nuk do të thotë, dhe kurrë nuk ka nënkuptuar, se Izraeli mund të veprojë si të dojë, mbi konsideratat humanitare dhe ligjin ndërkombëtar.

Edhe administratat që e kanë nxitur ose e kanë ndihmuar Izraelin kanë për çfarë të japin llogari. Së fundmi, qeveritë perëndimore kanë filluar të flasin dhe të ndërmarrin hapat më të butë diplomatikë për të ushtruar njëfarë presioni – por, jo Shtëpia e Bardhë nën Trumpin, e cila duket se e konsideron çdo shprehje dhembshurie për gjendjen e popullit palestinez si një antisemitizëm të egër.

Ndërsa Amerika është e gatshme ta lërë Netanyahun të vazhdojë kështu siç është, me vetëm një shpresë të vagullt për një tjetër armëpushim, i bie që vendet e tjera të bëjnë më shumë për ta ndalur krizën. Mund të jetë tashmë tepër vonë për të shpëtuar të gjitha ata që sot janë në rrezik.

Share This Article
Leave a Comment