KQZ ndan mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
2 Min Read

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku janë marrë disa vendime me rëndësi për funksionimin dhe mbështetjen e subjekteve politike në vend.

Në këtë mbledhje, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike lidhur me ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për periudhën 1 prill – 31 dhjetor 2025.

Kjo ndarje, siç u tha në mbledhje, “mbështetet në rezultatet e certifikuara të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”.

Po ashtu, u miratua edhe ndarja e mjeteve financiare për punën e deputetëve sipas rezultateve të zgjedhjeve të mëhershme.

“Pjesë e këtij rekomandimi është edhe ndarja e mjeteve financiare për punën e deputetëve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve të certifikuara të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Në vijim të mbledhjes, KQZ vendosi të mbështesë një rekomandim për të diskutuar me institucionet e drejtësisë lidhur me trajtimin e kutive të votimit që janë objekt hetimi dhe ruhen nga KQZ-ja.

Anëtarët e KQZ-së gjithashtu miratuan dy raporte tremujore për periudhën janar – mars 2025, që kanë të bëjnë me raportin financiar dhe shpenzimin e derivateve.

Në përmbyllje të mbledhjes, KQZ miratoi planin për rekrutimin e personelit të përhershëm në kuadër të Sekretariatit. “KQZ miratoi planin për rekrutimin e personelit të përhershëm në 17 pozita të ndryshme brenda strukturës së Sekretariatit të KQZ-së”, thuhet në njoftim.

Share This Article
Leave a Comment