Anulohet seanca ndaj Gavrilo Milosavleviq i akuzuar për krime lufte në Masakrën e Dubravës

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
5 Min Read

Me kërkesë të avokatit Nebojsha Vllaiq i cili mbron të akuzuarin Gavrilo Milosavleviq është anuluar seanca e së hënës, më 28.04.2025, në Gjykatën e Prishtinës.

I pandehuri Milosavleviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civil të nacionalitetit shqiptar.

Ndryshe me të njëjtën kërkesë nga avokati Vllaiq ishte anuluar edhe seanca, më 24.04.2025.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar më 30.04.2025.

Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismajli (Kryetar), Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi (anëtarë).

Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.

Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të Aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet, mirëpo kishte deklaruar se nuk ndjehet fajtor.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civil të nacionalitetit shqiptar.

Sipas Aktakuzës Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me Njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e Burgut, i njohur si “fusha e sportit” të dalin 1000 të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

Tutje sipas Aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve Njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si: kallashnikov, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të Burgut me granata dore.

Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri më 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve 109 të burgosur kishin mbetur të vrarë dhe 108 të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Gjithnjë sipas Aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës) – duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civil shqiptarë; duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Për këto veprime i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Share This Article
Leave a Comment