Gabimi i Njësisë për Bartjen e Të Burgosurve pamundëson mbajtjen e seancës ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali, më 2021

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
5 Min Read

Seanca e së enjtjes, më 24.04.2025, ndaj Shkumbin Kryeziut, i akuzuar për vrasjen në Hajvali më 2021 – rast ky i kthyer në Rigjykim – nuk ka arritur të mbahet, kjo për arsye të një gabimi të Njësisë për Bartjen e Të Burgosurve.

I akuzuari Kryeziu akuzohet se së bashku me një të mitur pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin pasur me tashmë të ndjerin V.Xh., me qëllim që ta privojnë nga jeta e godasin me thika dhe si pasojë e plagëve V.Xh. kishte vdekur.

Me të filluar seanca kryetari i Trupit Gjykues Ertan Sejfulla njoftoi se Njësia për Bartjen e Të Burgosurve (transporti) kanë gabuar orën e sjelljes së të burgosurit Shkumbin Kryeziut.

Tutje, gjyqtari Sejfulla bëri të ditur se të njëjtit i kishin thënë se për 40 minuta mund ta sjellin të burgosurin në Gjykatë, mirëpo për shkak se ishte orari i pauzës dhe se në sesionin e pasdites ai ka një gjykim tjetër të planifikuar, Gjyqtari njoftoi se seanca nuk mund të mbahet.

- Reklamë -

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme, më 24.04.2025, nuk u mbajt. E radhës është e caktuar për në muajin maj 2025.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Shkumbin Kryeziu me 20 vjet burgim. Ky rast është kthyer në Rigjykim nga Gjykata e Apelit, në seancën e Kolegjit të mbajtur më 05.12.2024.

Lidhur me këtë çështje penale prokurori i rastit Arben Hoti në fjalën përfundimtare në shqyrtimin e parë gjyqësor kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje në bashkëkryerje”.

Prokuroria këtë ricilësim e kishte bërë duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit Gjykata, duke vepruar sipas Kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit (i ngarkuar në procedurën për të mitur si bashkëkryerës i kësaj vepre penale), kishte aprovuar Kërkesën dhe kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, me të cilat i mituri si bashkëkryerës ishte gjykuar fillimisht për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, mirëpo sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ishte bërë ricilësimi i kësaj vepre penale në “vrasje”.

Në bazë të kësaj Prokuroria kishte konsideruar se, meqë ka të bëjë me të njëjtën vepër penale të kryer në bashkëkryerje, ricilësimi i veprës penale ka karakter detyrues edhe për të pandehurin Shkumbin Kryeziu.

- Reklamë -

Ndaj të miturit është zhvilluar një procedurë tjetër dhe është dënuar.

Çfarë thotë Aktakuza?

Sipas Aktakuzës së ngritur më 29.12.2022, më 10.12.2021 rreth orës 21:15 në fshatin Hajvali, pasi që ka zbritur nga autobusi i ndjeri V.Xh., bashkë me dëshmitarin Kujtim Pacolli, rrugës për të shkuar në shtëpi i kishin rënë rrugës më të shkurtër, ishte takuar me të miturin në oborrin e Shkollës, ku ishin edhe dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, të cilët ishin konfliktuar me fjalë. Në atë moment i mituri e kishte nxjerrë thikën dhe në ato momente kishte arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin e kishin ndjekur të ndjerin.

- Reklamë -

Sipas Aktakuzës me të ndjerin duke ikur ishte edhe dëshmitari Kujtim Pacolli, ku dëshmitari ishte rrëzuar, ndërsa i pandehuri bashkë me të miturin kanë vazhduar ta ndjekin tashmë të ndjerin dhe të dy me dy thika në dorë nga hakmarrja e paskrupullt, për shkak të disa mosmarrëveshjeve më herët që kanë pasur, e godasin me thika në trup V.Xh., i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka vdekur në QKUK.

Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu dhe i mituri kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Share This Article
Leave a Comment