I dyshuari për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të 29 majit të vitit 2023 në Zveçan, ku mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, policë e gazetarë, Millosh Antoviq, sipas Prokurorisë kishte poseduar narkotikë prej 900 gramëve dhe një armë të gjatë gjatë bastisjes që kishte bërë Policia e Kosovës në lokacionet ku banonte i njëjti.
I njëjti dyshohet se kishte marrë pjesë në protestat e majit të vitit 2023 në Zveçan, në kohën kur Kryetarët e Komunave nuk lejoheshin të futeshin në objektet e katër Komunave veriore.
I dyshuari për pjesëmarrje në protestat e 29 majit të vitit 2023 në Zveçan, Millosh Antoviq do të mbahet në paraburgim për një muaj.
Kjo pasi Prokuroria Speciale kishte kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të njëjtit.
I dyshuari Millosh Anotviq dyshohet se më 29.05.2023 në perimetrin që gjendet objekti i Komunës së Zveçanit në koodrinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues përmes përdorimit të dhunës.
Sipas Kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, i dyshuari përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzimit për hyrje në objektin e Komunës, i pandehuri me të dyshuar të tjerë kanë përdorur mjete të forta e shpërthyese, si dhe armë zjarri.
Në këto veprime të grupit të dyshuarve kanë mbetur të lënduar mbi 30 ushtarë të KFOR-it. Sipas Kërkesës për caktimin e paraburgimit, nga këto veprime kanë mbetur të dëmtuar edhe shumë automjete të Policisë, si dhe vetura të gazetarëve, disa nga veturat edhe ishin djegur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të mëdha.
Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “bashkimi për veprimtari kundërkushtues, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryejnë vepra penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar”.
Tutje, në shtëpinë e Antoviqit gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës është gjetur një armë e gjatë në posedim paautorizim dhe i janë gjetur 900 gramë substancë narkotike.
Kështu i njëjti dyshohet edhe për “armëmbajtje pa leje” dhe për “posedim të narkotikëve”.