“Tmerr është çka kemi përjetu” – Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim të Pejës

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
9 Min Read

Në gjykimin ndaj të akuzuarit për “krime lufte” Millorad Gjokoviq ka dhënë dëshminë dëshmitari Florim Gashi, më 08.05.2025, në Gjykatën e Prishtinës. Gashi rrëfeu për tmerret dhe maltretimet që kishte përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Dëshmitari Gashi tha se në mëngjesin e datës 06.05.1999 forcat serbe kishin hyrë në shtëpitë e tyre në fshatin Ozdrim – duke shtënë me armë dhe iu kishin thënë të dalin jashtë shtëpisë.

Dëshmitari Gashi gjatë dëshmisë së tij tha se forcat serbe i kanë dërguar te Stacioni Policor në Ozdrim dhe i kanë detyruar të ulen në gjunjë, si dhe tutje i kishin dërguar në një vend të quajtur “Shupa e Shemit”.

Në vendin e quajtur “Shupa e Shemit” dëshmitari tha se kushtet kanë qenë shumë të vështira, kanë pasur rrahje, maltretime dhe në atë vend kanë qëndruar për tri ditë.

Dëshmitari theksoi tutje se kur ishin dëguar në Pejë ishin marrë në pyetje dhe kanë pasur maltretime të shumta.

“Kur na kanë çu në Pejë na kanë marrë në pyetje, qaty kemi pasë maltretime të mëdha, derisa edhe gjaku për vesh na ka dalë tu na marrë në pyetje, tu na rreh.” – tha dëshmitari Gashi.

Tutje, dëshmitari tha se pas marrjes në pyetje ishin dërguar në Burg në Pejë.

“Pastaj, prej aty na kanë çu në Burg në Pejë, për Pejë s’di çka me thanë tmerr është çka kemi përjetu. S’po muj as m’i çu ment aty çka na kanë bo.” – tha dëshmitari Gashi.

I njëjti deklaroi se në Burgun e Pejës kanë qëndruar 5 javë dhe pas kësaj ishin transferuar në Burgun e Leskovcit, ku kishte qëndruar 7 muaj.

Pas kthimit nga Burgu dëshmitari deklaroi se kishte marrë vesh vdekjen e vëllait 15-vjeçar.

“Pastaj, mas 7 muje më kanë liru. Kam dalë prej burgut. Kam ardhë te shtëpia, masi kam ardhë te shtëpia, e kam ditë qe s’e kom vëllaun tem A., 15 vjet të vrarë më 7 maj. Nuk e kom ditë vdekjen e tij derisa kam dalë prej Burgut.” – deklaroi dëshmitari Gashi.

Për vëllain e tij dëshmitari tha se është vrarë me 7 maj 1999 në oborrin e shtëpisë, kur kishte qenë duke tentuar të kalojë murin e oborrit të shtëpisë, kur kishte hyrë Ushtria serbe për t’i arrestuar.

Ai tha se ai ishte plagosur në momentin kur kishte tentuar ta kalojë murin e oborrit të shtëpisë e pas plagosjes kishte ardhur ambulanca dhe e kishte marrë, ndërsa kufomën e të ndjerit e kishte marrë pas luftës në Morgun e Rahovecit.

Për të akuzuarin Millorad Gjokoviq dëshmitari deklaroi se e kishte njohur edhe para luftës, pasi i njëjti kishte punuar në Zyrë të Vendit në Vitomericë.

Tutje tha se të njëjtin e kishte identifikuar me nofkën “Micko” dhe e kishte parë tri ditë para datës 7 maj 1999 të uniformuar dhe të armatosur.

Seancat e radhës për këtë çështje penale janë caktuar të mbahen gjatë muajit qershor.

Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin Special, në përbërje të Trupit Gjykues: Valon Kurtaj (Kryetar) dhe Arben Hoti e Vesel Ismajli (anëtarë).

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Sipas Aktakuzës, i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë, si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat të cilët kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit ishin shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Tutje sipas Aktakuzës, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999 – duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe – e kishin rrethuar fillimisht fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.

Në Aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar, e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës, e më pas sipas Aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

Gjithnjë sipas Aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë, por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe figurojnë sot në Listën e Personave të pagjetur.

Tutje në Aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit” – vend ky i cili gjendej pranë Nënstacionit Policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore, në kundërshtim me të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

Në Aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm – duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse, 28 të tjerët i kishin ndarë në tri grupe, i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private, ku kishte qenë e vendosur Komanda e Ushtrisë serbe.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyrë mizore, deri në momentin kur i kishin dërguar në Burgun e Pejës; e, nga aty i kishin dërguar në Burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe derisa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Share This Article
Leave a Comment