Gjykata shfuqizon Paragrafin e Nenit ku parashihej bllokimi i veturave nga “Prishtina Parking”

ensar2025
ensar2025
Experienced project manager
10 Min Read

Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin e datës 16.04.2025 i ka rrëzuar disa Nene të Rregullores për organizmin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.

Këto Nene që janë rrëzuar kanë të bëjnë më mënyrën e pagesës së parkingjeve, bllokimin e veturave që nuk kanë kryer pagesën brenda periudhës 10-minutëshe që nga moment i parkimit, lëshimi i biletave për parkim në zona të palicensuara, si dhe të marrë masa ndëshkimore, si bartja/zhvendosja e mjeteve.

Gjykata Supreme në përbërjen e Kolegjit prej: Delushe Halimi (Kryetare) Ragip Namani dhe Franciska Zhitija-Ymeri (anëtarë) nuk e ka aprovuar Kërkesën që kjo Rregullore të shfuqizohet në tërësi, por ka vendosur që vetëm disa Nene dhe Paragrafë të Neneve t’i rrëzojë.

Supremja disa prej veprimeve që i ka ndërmarrë “Prishtina parking” i ka konsideruar si tejkalim i kompetencave.

Sipas Supremes, Paragrafi që flet për bllokimin e automjeteve që nuk kanë paguar parkingun pas 10 minutave kur janë parkuar është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe diskriminimit. Sipas këtyre parimeve çdo veprim i Administratës publike duhet të jetë në proporcion me qëllimin që synohet të arrihet dhe të mos tejkalojë atë që është e domosdoshme.

Supremja ka thënë se me këtë Dispozitë që parashihej bllokimi i automjetit nuk janë paraparë që të merren për bazë rrethanat objektive që mund të ndikonin në vonesën e pagesës, siç janë nevojat urgjente për t’i ndihmuar një personi tjetër, problemet teknike gjatë pagesës, mungesa e informimit të qartë për mënyrën e pagesës, ose ndonjë gjendje emergjente shëndetësore.

Supremja ka thënë se njoftimi për pagesë shtesë ose gjoba administrative do të ishin masa shumë më të arsyeshme, sesa kufizimi fizik i lëvizjes së një qytetari përmes bllokimit të automjetit.

“Vendosja e masës së bllokimit të automjetit vetëm për shkak të moskryerjes së pagesës brenda një periudhe prej vetëm 10 minutash nga momenti i parkimit është masë tejet e ashpër dhe joproporcionale në raport me shkeljen e supozuar. Kjo Dispozitë/Paragraf nuk merr parasysh rrethanat objektive që mund të ndikojnë në vonesën e pagesës, siç janë: nevoja urgjente për të ndihmuar një person tjetër, probleme teknike në sistemin e pagesës, mungesë e informimit të qartë për mënyrën e pagesës, ose ndonjë gjendje emergjente shëndetësore. Masa ndëshkuese duhet të jetë proporcionale me shkeljen dhe në këtë rast gjoba administrative, ose njoftimi për pagesë shtesë, do të ishte shumë më e arsyeshme sesa kufizimi fizik i lëvizjes së qytetarëve përmes bllokimit të automjetit.” – thuhet në Arsyetimin e Supremes për rrëzimin e këtij Paragrafi.

Sipas Supremes me këtë veprim janë shkelur liritë e lëvizjes dhe e drejta në pronë private.

Vendosja e bllokadës në automjet cenon të drejtën e qytetarit për të përdorur lirshëm pronën e tij, shto kësaj sipas Supremes kur nuk është vërtetuar qëllimi i keq i qytetarit, ose ka rrëzuar me qëllim të mos ta kryejë pagesën.

Tutje, Vendimi i Gjykatës Supreme thotë se nuk është vlerësuar mundësia që personi i parkuar ka mundur të bëjë përpjekje për të kryer pagesën, por për ndonjë arsye objektive është penguar, ose nuk është varur nga vullneti i tij moskryerja e pagesës.

“Bllokimi automatik i automjetit pas 10 minutash pa vlerësim individual të rrethanave përbën një qasje mekanike dhe jo të drejtë ndaj qytetarëve. Nuk është vlerësuar mundësia që personi i parkuar mund të ketë bërë përpjekje për të kryer pagesën, por mund të jetë penguar për arsye objektive, ose të pavarura nga vullneti i tij.” – thuhet tutje në Vendimin e Supremes për Dispozitën që lejonte bllokimin fizik të automjetit.

Supremja ka gjetur tutje mangësi në këtë Dispozitë, ku qytetarëve nuk iu është dhënë e drejta që të paraqesin Ankesë ndaj masës për bllokimin e automjetit, ose të kërkojë Rishqyrtim para se të vendoset bllokada.

“Dispozita/Paragrafi i kontestuar nuk parashikon ndonjë mundësi që qytetari të paraqesë ndonjë Ankesë, ose të kërkojë Rishqyrtim para se të merren masa drastike, si bllokimi i automjetit.” – arsyeton Supremja.

Tutje, Supremja ka shfuqizuar edhe një Paragraf tjetër të kësaj Rregulloreje që e ka konsideruar si pjesërisht të paligjshme – duke e konsideruar se ka tejkaluar kompetencat që i takojnë me Ligje.

Bllokimi i automjeteve, lëshimi i biletave për parkim në zona të palicensuara, bartja/zhvendosja e mjeteve sipas Supremes nuk i takon t’i ndërmarrë “Prishtina Parking”, por Policia e Kosovës, ose Inspektoratet kompetente të Komunës.

“Në këtë rast Ndërmarrja publike N.P.L. ‘Prishtina Parking’ SH.A., si palë e tretë në këtë procedurë gjyqësore, duke pretenduar të bllokojë automjetet, të lëshojë bileta për parkim në zona të palicensuara (‘vendparkingje ilegale’), si dhe të marrë masa ndëshkimore, si bartja/zhvendosja e mjeteve, ushtron kompetenca që sipas Ligjeve në fuqi u përkasin vetëm organeve të rendit publik dhe autoriteteve të trafikut, siç janë Policia e Kosovës dhe inspektoratet kompetente të Komunës dhe jo një Ndërmarrjeje publike komerciale. Në këtë mënyrë N.P.L. ‘Prishtina Parking’ ka tejkaluar kompetencat e veta të ligjshme – duke vepruar jashtë mandatit të saj statutor dhe ligjor.” – thuhet në Vendimin e Supremes.

Supremja ka thënë se Policia e Kosovës dhe inspektoratet komunale janë ato organe që kanë kompetenca të konstatojnë kundërvajtjet dhe të vendosin masa ndëshkuese. Gjykata e Shkallës së Tretë ka shtuar se “Prishtina Parking” nuk mund të marrë vetë iniciativa për të paralizuar qytetarët për parkim të paligjshëm, veçanërisht në hapësirat që vetë Rregullorja i njeh si të palicensuara.

“Gjykata vlerëson se Neni 22 Paragrafi 8 i Rregullores së Komunës së Prishtinës është i paligjshëm dhe duhet të shfuqizohet, për arsye se: Ndërmarrja publike ka tejkaluar kompetencat e saj ligjore, masat e parashikuara cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve në mënyrë të pajustifikueshme dhe joproporcionale dhe nuk ka bazë ligjore të qartë për veprime ndëshkuese në vendparkingje të palicensuara.” – thuhet në Vendimin e Supremes.

Gjykata Supreme ka shfuqizuar tutje edhe pjesën ku “Prishtina Parking” përcakton se e vetmja mënyrë e pagesës për parkim orësh dhe ditorë të bëhet përmes telefonit – duke mos iu ofruar qytetarëve mënyra të tjera të pagesës.

“Gjykata, pas shqyrtimit të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, më 21.12.2023, në veçanti të Nenit 1, që rregullon vetëm mënyrën e pagesës së parkingut dhe ndërlidhur me të edhe Neni 14 dhe 15 i Rregullores konstaton se Dispozitat e kësaj Rregulloreje, në pjesën ku përcaktohet se pagesa kryhet vetëm përmes telefonit; mënyra e pagesës dhe biletat e rregullta të parkimit – orëshe dhe ditore – janë në kundërshtim me parimet e përgjithshme të së drejtës administrative, me normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”- thuhet në Arsyetim.

Mënyra e pagesës vetëm përmes telefonit sipas Supremes e imponon një formë teknologjike të detyrueshme, që nuk është e përballueshme për të gjithë qytetarët. Kështu duke vështirësuar përdorimin e shërbimit për personat të cilët nuk kanë numra lokalë telefonikë është e disfavorshme për personat e moshuar dhe ata të cilët kanë kufizim teknologjik.

“Në këtë rast mënyra e vetme e pagesës përmes telefonit e imponon një formë teknologjike të detyrueshme që nuk është e përballueshme për të gjithë qytetarët, përjashton ose vështirëson përdorimin e shërbimit për personat të cilët nuk kanë numër lokal telefonik; është në disfavor për personat e moshuar dhe ata me aftësi të kufizuara teknologjike. Kjo cenon barazinë në qasje ndaj një shërbimi publik, që është parkingu publik, duke krijuar diskriminim të pashkruar ndërmjet përdoruesve të parkingut.” – thuhet në Vendim.

Kjo mënyrë e pagesës pa paraparë alternativa të tjera është diskriminim i tërthortë – sipas Supremes.

Këtë çështje në Gjykatë e ka ngritur Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – një platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Share This Article
Leave a Comment