Ekstazi, kërpudha psikodelike dhe veçanërisht ketaminë.
Gjatë muajve të kaluar, Elon Musk dyshohet se përdori narkotikë pavarësisht se, sipas asaj që ai vetë e pranon, ishte kundër drogave të paligjshme.
Gazeta e njohur amerikane ”New York Times” e raporton këtë në ditën e fundit të njeriut më të pasur në botë si punonjës i administratës Trump.
“Përdorimi i drogës nga Musk shkoi përtej përdorimit të rastësishëm… Musk gjithashtu merrte ekstazi dhe kërpudha psikodelike. Ai mbante me vete një pako me recetë ditore me rreth 20 pilula në udhëtimet e tij, përfshirë disa me shenjat dalluese të stimuluesit Adderall, sipas një fotoje dhe njerëzve që e panë atë”, shkroi gazeta.
Nuk është e qartë nëse Musk përdorte drogë kur u bë pjesë e Shtëpisë së Bardhë këtë vit për të ulur burokracinë federale.
Bëhet e ditur se miliarderi ka pranuar në të kaluarën se përdorte ketaminë herë pas here apo disa herë në muaj për të mbajtur nën kontroll depresionin dhe i ka thënë biografit të tij, Walter Isaacson se “nuk i pëlqen të përdorë droga të paligjshme”.
”Megjithatë, kohët e fundit, ai ka zhvilluar zakone më të rrezikshme duke përdorur ketaminë shpesh, ndonjëherë çdo ditë, dhe duke e përzier atë me droga të tjera”, raporton NYT.
”Vija ndarëse midis përdorimit mjekësor dhe rekreativ është e paqartë, çka ka shkaktuar shqetësim midis disa prej atyre që ishin afër tij”, sipas gazetës.